Në pyjet e Amazonës, një krokodil lumi, pasi ishte ngopur mirë me një mustak të madh, doli nga rizoforet buzë pemëve të larta dhe qilimit të gjelbër. Me sytë gjysmë të hapur pa të zbriste një bretkosë e vogël sa një thua, me ngjyrë të kuqe si gjaku.
— Po kjo kaq e vogël dhe më verboi me këtë ngjyrë shpërthyese, nuk e di se është vetëm sa një e dhjeta e një luspe të timen.
— Kuqalashë sa një mizë, pse vjen të më bezdisësh mua! — i tha me kryeneçësi.
Bretkosa nuk i ktheu përgjigje, po lëvizi moskokëçarëse mes fijeve të barit dhe kërceu mbi një gjethe pranë bishtit të krokodilit.
Atëherë krokodili nuk duroi dot: do t’i jap një mësim të mirë kësaj bezdisëse pilivesë, dhe e goditi fort me bisht.
Bretkosa e vogël kërceu dhe iu ngjit në trup, me një të kafshuar të shpejtë hodhi gjithë helmin e saj. Kafsha gjigante ndjeu të paralizohej dhe dalëngadalë po humbte ndjenjat.
Atëherë e kuptoi se forca e mbijetesës nuk qëndron vetëm te madhësia dhe egërsia, por helmi qenka arma që i mundka të dyja. Nuk e dinte që kishte sfiduar kafshën me helmin më vrasës në botë.

