Zëri i 4 Heronjve

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors

Mësuesi dhe nxënësi – binom i pandarë



Mësuesi si profesionist ka një mision sa human, por edhe universal, në atë raport dysh “binom” me objektin e punës së tij, nxënësin. Mësuesi në këtë marrëdhënie respekton nxënësin si qenie individuale, unike, i formësuar brenda një universi sa karakterial, me një kapacitet përthithës të caktuar, mental, ndërtuar mbi një bazë logjike brenda një kornize analizuese, përpunuese dhe kreativiteti krijues.

Të gjitha këto elemente bazë të nxënësit si qenie unike kërkojnë nga ana e mësuesit një punë parapërgatitore të detajuar për të arritur te binomi funksional dhe produktiv nxënës–mësues. Në shumë raste është e dhimbshme, por duhet ta pranojmë që ky binom rezulton jo funksional dhe i dështuar. Pse? Ku gabohet? Cila anë e binomit nuk përfshihet në këtë marrëdhënie dypalëshe? Pretendimi se nxënësit janë larg një binomi funksional bie. Nuk është një peshore e cila peshon në anën e nxënësit. Pesha e kësaj marrëdhënieje është detyrimisht e profesionistit. Mësuesi nuk duhet të jetë thjesht një përcues dijesh, por sa dhe si dijet e tij janë të kapshme jo vetëm për përthithje, por për misionin të nxisë të menduarin kritik, të zgjojë kreativitet, të bëhen shtresëzim për të qenë një zbatues i shkëlqyer; korpusi teorik bashkë me zbatimet praktike të shërbejnë për t’i shërbyer në çdo fushë nga vijnë këto njohuri.

Po cilat janë rrugët që mësuesi të jetë balancuesi i binomit? Si do të arrijë të respektojë individualitetin, por dhe në bazë të këtij individualiteti të gjejë rrugë dhe teknika për të arritur te produktiviteti final? Çdo mësues ka një formim psiko-social për të arritur te vlerësimi i një kornize bazë të treguesve individualë të nxënësit, e përkthyer kjo në një formim minimalisht të domosdoshëm që kërkon funksionaliteti i binomit mësues–nxënës.

Është përkushtimi dhe devotshmëria për të bërë një mësimdhënie të shëndetshme ajo që është baza e këtij bashkëpunimi. Pa dyshim, çdo thellim në profesionalizëm kërkon lodhje, punë, hulumtim, respektim dhe, më themelorja, vullnet. Mësuesia është përkushtim dhe vullnet; kështu do të ketë arritje funksionale cilësore.

Gjatë punës tonë si mësues deklarojmë me të madhe që ne kemi bërë gjithçka, por nuk kemi marrë nga nxënësit atë që kemi dhënë me këmbëngulje, pra pritshmëritë tona kanë dështuar duke ia lënë nxënësit peshën e mosbarazimit. Kjo lloj të sjelluri duhet të ndryshojë duke ia lënë dhe peshores së mësuesit një pjesë të fajit; kështu vihemi në pozita kërkuese për t’u thelluar dhe për të projektuar kornizën individuale të çdo nxënësi dhe në bazë të saj të ngremë punën individuale. Në këtë dualizëm, respektimi i lirisë dhe personalitetit individual të çdo nxënësi, duke qenë në koshiencë dhe vetëdijshmëri në profesionalizmin dhe lirinë individuale, kemi zbuluar çelësin e suksesit që hap derën kryesore për shëndoshjen e binomit nxënës–mësues.

Janë pafund rrugët për të gjetur dhe zbatuar metoda dhe teknika funksionale për të krijuar këtë dyshe të ketë produkt fitimprurës në punën tonë, por këto nuk janë receta që funksionojnë klishe. Raporti fillon dhe mbaron në lirinë individuale të të dyja kaheve të binomit. Pronësia e peshës nga kahu i mësuesit krijon një tendencë jofunksionale, sidomos në këtë brez sa modern aq dhe me ndjeshmëri, por dhe me një shkallë të lartë përthithjeje të informacionit dhe me aftësi të larta të të menduarit kritik; atëherë jemi ne mësuesit që duhet t’i bëjmë të krijojnë, ndërtojnë, vlerësojnë duke vënë në funksion dijen.


Article Number: 1