Zëri i 4 Heronjve

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors

Rrëfimi i sinqertë – Sfidat e një drejtuesi



Me drejtoreshën: Silvana Nikaj

Ky është një rrëfim i sinqertë i një pune shumëvjeçare mes marrjes përsipër të një pozicioni drejtues dhe të ushtruarit të profesionit të mësuesisë. Nuk mund të them se fillimi nuk ishte i vështirë, një tokë e shkelur pak, kisha një përvojë të shkurtër drejtuese e cila më shërbente si një gur themeli në këtë sfidë të vështirë.

Dashuria për profesionin e mësuesit të mëson jo vetëm ta duash dhe ta ushtrosh atë, po në rastin tim të jetë një balancë e shëndetshme për ta bërë drejtuesen një bashkëpunëtore të suksesshme.

Gjithmonë kam menduar se çelësi i suksesit të drejtimit të një institucioni është bashkëpunimi, toleranca, gjithëpërfshirja, funksionaliteti, dhe mbi të gjitha parimi bazë i një demokracie të vërtetë, e thënë kjo duke lënë hapësirat e lirisë të ushtrimit të profesionit.

Për mua ky besoj se ka qenë dhe është çelësi i suksesit të drejtuarit të njëjtin institucion për shumë vite.

Shkolla “4 Heronjtë” është një sfidë që edhe pse ka pasë vështirësi, them se ja kam arritur që të jetë me zë në arsimin e qytetit të Vlorës.

Kam pasur gjithmonë një mbështetje nga një staf i kualifikuar, këmbëngulës, pasionat, të cilët më kanë mbështetur në realizimet e objektivave dhe planeve në procesin e mësimdhënies.

Duket sikur ky është qëllimi i vetëm i tempullit të dijes, po jo, është pak.

Një drejtues për të qenë i suksesshëm duhet të ketë një formim dhe aftësi drejtuese, duke e nisur me një raport bashkëpunues me institucionet më të larta në hierarki dhe zbatimin e politikave të arsimit, si dhe funksionimin si një subjekt realizues i të gjithë legjislacionit në fuqi,

Jam krenare se kam arritur të krijoj një mjedis të paqtë dhe të sigurt brenda kësaj godine që mban mbi supe 77-vite, gjë që e bën të qëndrojë krenare në kohë, me klasa të mëdha të ajrosura, një bazë materiale bashkëkohore në funksion të mësimdhënies dhe mësimnxënies, bibliotekë të pasur me libra shkollorë dhe jashtëshkollorë, në gjuhën shqipe dhe të huaj, fusha sportive të cilat shfrytëzohen për aktivitetet fizike, një muze folkloristik i pasuruar nga nxënësit dhe komuniteti, me objekte dhe folklor të pjesës jugore të Shqipërisë, etj.

Kam punuar me këmbëngulje pa u lodhur, për të qenë çdo gjë gati për nxënësit. Natyrisht nuk kam rreshtur së trokitur në porta ku kam gjetur mbështetje për shumë situata si për mirëmbajtjen, një donator për zgjidhjen e portës qendrore, një vullnetar për pikturën murale, aktivitete kulturore e shkencore, etj. Shumë falenderuese për gjithë këta aktorë dhe bashkëpunëtorë dashamirës që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim.

prioritet absolut kanë qenë nxënësit dhe komuniteti i prindërve duke e konsideruar këtë komunitet si shtyllën e tretë mbështetëse më të fuqishme, në rëndësinë që ka shkolla për të nxjerrë qytetar të pajisur me dije dhe kulturë bashkëkohore.

Sfida të reja më presin, po do të luftoj, me këmbëngulje siç kam luftuar gjithmonë, me punë, me pasion dhe guxim për të çuar përpara shkollën tonë.

Sinqerisht, Silvana


Article Number: 15