— Po të drejtohem me profesor, se të gjithë nxënësit kështu të thërrasin. Si ndiheni kur ju drejtohen kështu?
Është gjë e mirë që e filluam me këtë pyetje. Ndihem i vlerësuar që ata më drejtohen me këtë titull. Po kjo bie ndesh me karakterin tim, sepse unë nuk jam mësuar të marr merita të paqena. Prandaj po ta sqaroj ty dhe të gjithëve, profesioni im është mësues, profesor është një titull të cilin unë nuk e kam munguar. Jam i kënaqur me profesionin tim dhe me modesti po ju them: jam “mësues Mondi”.
— Cilat janë vështirësitë në vite? Ju keni nxjerrë nga bankat e shkollës breza, si ndryshon kjo në kohë?
Është një jetë e investuar në arsimimin e shumë brezave duke shtuar dhe vështirësitë që paraqet një gjuhë e huaj, kjo e shton dyfish vështirësinë. Por duke bërë një retrospektivë në vite konstatoj jo me pak dhimbje se brezat e një dhjetëvjeçari më parë kanë pasur një përkushtim më të madh me dijen, shkollën, dëshirën dhe vullnetin për të shkëlqyer. Brezat tani kanë më pak vullnet, koha që shpenzojnë për të mësuar është tkurrur; me pak fjalë lodhem më shumë dhe shoh më pak fryte të punës time.
— Si mendoni, këtu qëndron vështirësia e brezave të tanishëm?
Koha në të cilën jetojmë është koha e internetit, ajo ka përfshirë në mënyrë të pashmangshme edhe fëmijët. Hapja e platformave sociale dhe bërja pjesë e tyre vetëm me një ekran smartfoni është plaga e pashërueshme që pjell ky zhvillim i vrullshëm i inteligjencës artificiale; po dëmton seriozisht brezin. Ka mjaft anë pozitive, por për sa kohë ka shfrytëzim inteligjent të çdo kanali digjital, gjetja e shfrytëzimit fitimprurës pa vrarë mendimin kritik.
— Të gjithë ju duan dhe ruajnë me ju marrëdhënie të sinqerta, lidhje përtej mësuesit, shoku, prindi i dytë.
Më jep një lloj krenarie, por edhe vlerësimi që kam dashur të marr, po çdo gjë fitohet, nuk dhurohet. Qysh në fillimet e mia nuk kam dashur të krijoj profilin e mësuesit tradicional, duke krijuar një distancë mësues–nxënës. Unë e kam zbritur veten nga kostumi serioz i konservatorit. Kam ndërtuar një profil të mësuesit modern duke qenë shumë më pranë fëmijës, jo më pranë nxënësit. Edhe pse s’kam reshtur së dhëni dije, kam përqafuar, kam qeshur, kam qarë me fëmijët e mi; ata për mua para se të jenë nxënës janë fëmijë.
— Shpeshherë në mes nesh të quajmë kampioni më i miri, dhe këtë e bërtasin.
E dua profesionin tim dhe kam punuar me shumë pasion dhe dashuri, duke mos e bërtitur punën time; veten e kam lënë të përfshihem nga emocionet e bukura që vetëm pafajësia fëminore di t’i japë. Kështu, me një këmbëngulje për të dhënë dije të qëndrueshme dhe me metoda bashkëkohore kam arritur të përgatis nxënës që ia kanë dalë të arrijnë ëndrrat e tyre.
Tek kthehen të më takojnë me një status tjetër, por për mua janë nxënësit e mi dhe unë për ata “presori”. Vazhdimisht mbaj kontakte me ata dhe kam ruajtur marrëdhënie speciale. Vazhdoj t’u dërgoj dhurata për ditëlindje; Eldes, Fiones, Kejsit; kjo e bën jetën më të bukur, të ngelesh unik tek specialet.


